Ka vdekur gjinekologu i njohur, Sejdullah Hoxha, njëherësh edhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e parë.

Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij nëpërmjet rrjetit social Facebook.

“Me dhimbje e pikëllim të thellë lajmërojmë farefisin, miqtë, shokët dhe dashamirët se me datë 06/03/2021 ka ndërruar jetë, bashkëshorti, babai, vëllau dhe gjyshi ynë i dashur dhe i paharruar”, thuhet në njoftim.

“Varrimi i të ndjerit bëhet në rrethin familjar, në varrezat e qytetit në Arbëri (Dragodan). Për shkak të pandemisë me virusin Covid-19 nuk mbahet e pamja”, thuhet tutje.

Hoxha në vitin 1990 ishte zgjedhur kryeshef i Repartit të Lehonave, ndërsa gjatë viteve 1983-2000 punësohet si asistent mësimor për lëndën Gjinekologji-Obstetrikë.

Më 2002 ai përfundoi doktoratën në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.

Gjatë viteve 1996-1999 punoi si drejtor i maternitetit “Nënë Tereza” në Prishtinë. Më pas nga 1999 deri më 2005 punoi si drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë të QKUK-së.

Në vitin 2006 ishte anëtar i bordit të QKUK-së, ndërsa në 2007 bëhet u.d. i kryetarit të Bordit të QKUK-së.

Gjinekologu Hoxha mbetet një nga doktorët e nderuar në Kosovë përgjatë vitesh.

Share This