Pas raportimit se gjatë numërimit janë keqpërdorur votat në subjektin politik AAK, ka reaguar përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Arianit Elshani.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se është shokuar nga video-incizimet të cilat shpërfaqin tendencat për manipulimin rezultatet e kandidatëve dhe për të ndryshuar vullnetin e qytetarëve.

Elshani ka thënë se si përfaqësues i PDK-së në KQZ, do të kërkojë menjëherë që të rinumërohen të gjitha vendvotimet të cilat thotë se kanë qenë në dorën e mashtruesve, ndërsa video-incizimet, ky rast dhe rastet tjera të dyshimta të procedohen në prokurori.

“Si KQZ përgjatë gjithë këtij procesi zgjedhor kemi qenë të angazhuar në integritetin e zgjedhjeve dhe ruajtjen e kredibilitetit të ndërtuar ndër vite të KQZ-së, andaj nuk do të lejojmë që askush në asnjë formë të baltosë e të cenoj këtë institucion që ka për obligim të ruaj dhe të paraqes saktë vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Elshani.

Ndryshe, sot është raportuar se Meliza Haradinaj-Stublla, se nuk i ka pasur votat e mjaftueshme për t’u bërë deputete. Por, falë të bashkëshortit të saj, ajo ka arritur ta fitojë një vend në listën e AAK-së.

Insajderi ka raportuar se bashkëshorti i saj i ka blerë me 6 mijë euro katër komisionerë, të cilët i kanë dëmtuar dy kandidate tjera dhe e kanë favorizuar, Haradinaj-Stubllën.

Sipas tyre komisionerët në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve manipuluan me rezultatet, duke vjedhur votat e kandidates së AAK-së për deputete, Florentina Gjergjaj, e më pas edhe të Albana Bytyqit, vetëm e vetëm që t’ia sigurojnë votat e nevojshme për ulësen e deputetit kryediplomates në detyrë, Meliza Haradinaj Stublla. /Telegrafi/

Share This